Të dashur Vëllezër, të nderuar miq dhe të ftuar,

Është një nder i veçantë për mua t’ju drejtohem sot, në emër të Lozhës së Madhe të Shqipërisë.

Jemi mbledhur këtu, vëllezër nga Shqipëria dhe nga vende mike, për të reflektuar jo vetëm mbi historinë tonë, jo vetëm për të diskutuar progres-raportet e për të votuar, por mbi diçka edhe më të ndjeshme dhe më të dobishme, për të diskutuar me njëri-tjetrin për natyrën tonë njerëzore, brenda dhe jashtë tempullit.

Ne jemi pjesë e një tradite shekullore që ka tejkaluar kufij, regjime dhe ideologji, duke mbetur besnike ndaj një ideali të vetëm, ndërtimit të njeriut të virtytshëm dhe, përmes tij, të një shoqërie më të mirë. Masoneria është përkufizuar shpesh si “një sistem morali, i mbuluar me alegori dhe i ilustruar me simbole”. Kjo do të thotë që pas çdo vegle, çdo fjale dhe çdo ritmi ritual, fshihet një thirrje për të na bërë njerëz më të mirë përtej vetes tonë të zakonshme.

Që në zanafillë, Masoneria ka qenë një urë mes shpirtërores dhe materiales, pikërisht prej faktit se ajo lindi nga muratorët operativë, por u shndërrua në një vëllazëri spekulative që ndërton tempullin jo vetëm me gurë, por me virtyte.

Simbolet tona, kompasi, skuadra, çekiçi, dyshemeja bardhë e zi, nuk janë dekor, janë një gjuhë e heshtur dhe e gjallë. Ato na kujtojnë se jeta jonë zhvillohet mes dy ekstremeve, dritës dhe errësirës, idealit dhe dobësisë, shpirtërores dhe materiales.

Ne vërtetë nuk ikim nga bota, kemi familje, punë, përgjegjësi dhe dobësi. Por Masoneria na mëson që botën ta prekim me duar, për të lënë shenjën tonë e pa e lënë atë të na pushtojë zemrën e të na errë sytë.
Ndaj, që në hyrje, kandidatit i kërkohet të “lërë metalet jashtë derës”, është një gjest simbolik, por një urdhër shumë serioz, i cili të fton të hysh brenda pa lakmi, pa sedër të sëmurë, pa etje pushteti.

Por, sonte dua ta them hapur, brenda secilit prej nesh jetojnë dy njerëz, mos keqkuptohemi, nuk jemi me dy fytyra. Njëri është ai që hyn në tempull, i lodhur nga problemet, i tunduar nga kompromiset, i joshur nga posti, nga lavdia, nga “pozicioni”. Tjetri është ai që del nga tempulli, pas punimeve, i heshtur, i përulur, i gatshëm të dëgjojë dhe të mësojë.

Brenda lozhës flasim për dritë, jashtë ndeshemi me errësirën e përditshme. Prandaj kur dalim nga tempulli dalim si të pastruar. Brenda lozhës flasim për vëllazëri, jashtë provojmë xhelozinë, konkurrencën, mosbesimin.

Pyetja që dua t’ia bëj vetes dhe juve është e thjeshtë: Cilin prej këtyre dy njerëzve po e ushqejmë çdo ditë? Atë të tempullit, apo atë të tregut?

Sepse, vëllezër, nuk ka dy Masoneri, një brenda dhe një jashtë, masoneria është një siç është edhe njeriu. Ashtu si njeriu, edhe lozhat kemi parë ndahen mes dy rrugëve:

  • Lozha që ndjek interesin,
  • dhe Lozha që ndjek altarin.

Lozha që ndjek interesin matet me ndikim, përfitim, pazare të heshtura dh afërsi me pushtetin profan. Lozha që ndjek altarin matet me heshtje, përulësi, me net pa gjumë, pune të ndershme mbi vetveten.

Lozha që ndjek interesin e sheh Masonerinë si trampolinë për karrierë. Lozha që ndjek altarin e sheh karrierën si fushë prove për virtytin mason.

Historia botërore e Masonerisë dhe historia e vendeve mike rreth nesh na ka treguar qartë se çfarë ndodh kur interesi hyn në tempull, intrigat, skandalet, përçarja dhe humbja e besimit publik. Kemi parë Lozha të Mëdha që, duke flirtruar me politikën dhe ekonominë e fshehtë, humbën njohjen, humbën vëllezërit më të mirë. Kemi parë se si kanë punuar e prapë kanë rënë pre e ambicies njerëzore.

Nga ana tjetër, kemi parë edhe shembuj të tjerë, vëllezër që kanë qenë më pak në numër e që kanë punuar mbi bazën e rregullsisë, spiritualitetit dhe mos-përzierjes me politikën. Ata nuk ishin më të mëdhenj në numër, por ishin më të pastër në frymë dhe bota masonike, me kohën, e njohu dhe e vlerësoi këtë.

Mësimi është i qartë: Masoneria nuk mund t’u shërbejë dy qëllimeve. O altarit, o interesit.

Edhe ne, këtu në Shqipëri, nuk jemi përjashtim nga ky ligj i pashkruar. Rruga e Lozhës së Madhe të Shqipërisë nuk ka qenë lineare. Kemi pasur gëzime, kemi pasur dhe plagë.

Pas vitit 1944, Masoneria u ndalua krejtësisht për shqiptarët në Shqipëri dhe trevat shqiptare në ish-Jugosllavi. Në Shqipëri u ndalua me vendosjen e regjimit komunist, ndërsa në trojet shqiptare në Jugosllavi si pasojë e një apartaidi ku asnjë shqiptar nuk u iniciua. Por fryma masonike mbijetoi në heshtje tek njerëzit e ndriçuar, derisa erdhi koha e Rilindjes Masonike pas shembjes së diktaturës, dhe kur kushtet u poqën.

Më 14 tetor 2011, me përpjekje të përbashkëta dhe vullnet vëllazëror, u themelua Lozha e Madhe e Shqipërisë, ngjarje që shënon rilindjen zyrtare të Masonerisë në vendin tonë pas një mungese të gjatë. Ringritja e masonerisë zyrtare më 2011 shënoi një moment të madh: vëllezër nga vende të ndryshme erdhën, pikërisht në këtë sallë ku jemi sot, dhanë dritë, dhanë dorën, dhe zinxhiri i Masonerisë në Ballkan u mbyll pothuajse pa boshllëk.

Ajo që lindi atë ditë nuk ishte thjesht një institucion, por një premtim: që në këtë vend Masoneria do të ishte një institucion karakteri dhe jo institucion karriere.

Por më vonë, si kudo ku ka njerëz, nuk munguan as te ne problemet: ambicie personale, politika masonike, afrime të tepërta me politikën e ditës, përpjekje për ta përdorur vëllazërinë si mjet ndikimi dhe shkëmbimi.

Disa zgjodhën rrugën e interesit dhe u larguan nga ne, u larguan nga Lozha e Madhe e Shqipërisë, duke ndjekur pazaret e tyre, aleancat e tyre, interesat e tyre.

Ne nuk jemi këtu për të gjykuar askënd, por duhet ta themi qartë: kushdo që e përdor Masonerinë për interes, humb edhe Masonerinë, edhe veten.

Nga ana tjetër, pjesa më e madhe e vëllezërve, si dhe unë, zgjodhëm të qëndrojmë pranë altarit sepse kishim frikë të humbnim atë që është më e çmuar: ndriçimin e brendshëm dhe besimin mes nesh, si dhe lozhën e cila na mbledh e na bashkon.
Sot, Lozha e Madhe e Shqipërisë e ka bërë zgjedhjen e saj: ne ndjekim altarin, jo interesin.

Ne nuk synojmë të kontrollojmë territorin, ne nuk shkëmbejmë territore, ne synojmë të pushtojmë vetëm një fushë: zemrën dhe ndërgjegjen tonë.

Sonte midis nesh kemi vëllezër nga vendet fqinje e mike. Prania juaj është për ne një kujtesë e gjallë se vëllazëria masonike është më e gjerë se çdo kufi.

Ne vijmë nga histori të ndryshme, nga gjuhë të ndryshme, por në tempull flasim të njëjtën gjuhë: gjuhën e simbolit, të dritës dhe të virtytit. Kur Mjeshtri i Madh i Greqisë e quajti themelimin e Lozhës së Madhe të Shqipërisë “hallkën e fundit që mungonte në zinxhirin e unitetit”, ditën e themelimit të saj, ai nuk fliste për një statistikë apo numër, fliste për një prani shpirtërore në këtë cep të Europës.

Sot, ky zinxhir vazhdon: dora që japim e që marrim, shikimi i sinqertë mes vëllezërve, është prova se ajo që na bashkon është shumë më e madhe se çdo gjë që mund të na ndajë.

Para se ta mbyll, dua të ftoj secilin prej jush në një moment të brendshëm sinqeriteti, t’i bëjë njësoj si mua këto pyetje vetes: Kur dal nga lozha, a jam i njëjti njeri që hyra? A e përdor unë Masonerinë si dekor të egos sime, apo e lejoj Masonerinë të më thyejë egon? A jam më i ndershëm në punën time, më i butë në familjen time, më i drejtë në shërbimin tim ndaj të tjerëve, nga dita kur jam inicuar? Nëse nesër do të humbisnin të gjitha titujt dhe gradat, çfarë do të mbetej nga Masoneria brenda meje?
Në fund, e vetmja Masoneri që askush s’mund të na e heqë është tempulli që kemi ndërtuar brenda vetes. Nëse ai tempull është bosh, asnjë përparëse nuk na shpëton. Nëse ai tempull është i gjallë, asnjë përçarje nuk na shkatërron.
Vëllezër të dashur,

Sonte dua ta mbyll duke thirrur një imazh të thjeshtë:

Përfytyroni dy njerëz brenda vetes, atë që kërkon titullin, gradën, karrigen, duartrokitjen, dhe atë që kërkon vetëm një vend të vogël pranë altarit, ku mund të përkulet në heshtje.

Masoneria nuk të kërkon ta vrasësh njërin, të kërkon të vendosësh kë do çosh përpara.
Në qendër të tempullit nuk vendosim interesin.
Në qendër vendosim altarin.
Le ta bëjmë të njëjtën gjë me zemrën tonë.
Le ta rinovojmë sonte betimin tonë: që LMSH të njihet jo nga marrëveshje boshe, por nga drita që lëshon;
që asnjë interes profan të mos hyjë nga të çarat e gurëve të këtij tempulli;
që ne të jemi më shumë burra drite, se sa ushtarë të vegjël metali.
Qofshim gjithmonë më afër altarit sesa interesit.
Qofshim më të pasur në dritë se në metale.
Qofshim të denjë ta quajmë veten Muratorë të Lirë dhe të Pranuar. Zoti e bekoftë Lozhën e Madhe të Shqipërisë, vëllezërit tanë këtu dhe kudo që ndodhen, dhe këtë vend, të cilit i kemi borxh më shumë punë se fjalë.